10 Ditë Pa Ujë – Pushtetarëve të “S’VLEN” dhe TEC Osllome aspak s’ju bëhet vonë që qytetarët në këto ditë të nxehta vere, ballafaqohen me MUNGESË TË UJIT TË PIJSHËM!
Janë bërë 10 ditë që qytetarët e zonës së ish-komunës së Osllomesë janë pa ujë të pijshëm, ndërkohë që pushtetarët e vetëshpallur “përfaqësues” të shqiptarëve – drejtuesit e TEC Osllome dhe ELEM, vazhdojnë të heshtin.
Asnjë prononcim publik, asnjë hap konkret, asnjë zgjidhje emergjente për banorët që vuajnë për ujë të pijshëm në këto temperatura të larta.
Ndërsa gurbetçarët vijnë çdo ditë në vendlindje për të pushuar, i gjejnë shtëpitë e tyre pa një pikë ujë për pije.
E ndërkohë, TEC Osllome vazhdon punën si të mos ketë ndodhur asgjë, duke shfrytëzuar burimet natyrore (ujin për pije) dhe duke lënë shqiptarët të vuajnë, veprime kéto që janë në kundërshtim të plotë me nenin 15 të LIGJIT PËR UJRAT dhe me Dinjitetin Njerëzor.
A ka shpirt kjo klasë politike? A ka zë ndonjë nga ata që janë aty në emër të shqiptarëve?
Apo janë aty vetëm për dekor, për privilegje, dhe për të heshtur kur populli ka nevojë më shumë se kurrë?
Sot na kujtuat vitet e errëta të diskriminimit, kur shqiptarët nuk kishin askënd në TEC Osllome që të mbronte të drejtat e tyre, kur kërkesat e banorëve hidheshin në kosh, dhe kur kalimi andej bëhej me frikë e nënçmim.
Por dijeni mirë:
Durimi u sos!
Populli nuk do të heshtë.
Nuk do të lejojmë që padrejtësia të vazhdojë!
Uji është e drejtë – jo luks.
Është jetë – jo favor politik!